Koha!
Treni!
Koha abstrakte!
Treni real!
Koha pa zhurmë!
Treni me zhurmë!
Treni me zhurmë në kohën pa zhurmë plotëson heshtjen e kohes
që në të bëhet shumë zhurmë!
Kush po bën zhurmë?
Zhurmë po bën treni!
Treni i artistit që po i jep frymë kohës së ardhme me një
frymë nga koha e shkuar dhe e tashme!
Rrugëtimi i artistit nëpër kohën që ka kaluar e gjerë më
tani ka perfshirë’’vagona,bagazhe’’të ndryshme,që janë bërë nga e shkuara e
deri më tani,e që shërbejnë për të ardhmen!
Paraqitja simbolike e kohës përmes trenit vjen nga autori me
një figuracion shumë të thjeshtë dhe ngjyra të pastërta në një koncept të
ndërlikar siq është koha!
Pa dyshim ai në pikturat e tijë merret me një qështje
globale nga pasqyrimi si thelb,si dhe po ashtu me një qështje personale siq
është përshkrimi i jetës së tijë , ëndrrave të tijë që janë paraqitur në
fragmente e në tabllo pikturale d.t.th gjëra të përjetuara e të ngulitura në
kokë që rrjedhin nga e kaluara e gjerë më tani…
Curated
by/ Kushtrim Zeqiri
Parathënie
“Treni
artistik” i Kushtrimit si metaforë e lirisë dhe pakufishmërisë
Treni si metaforë simbolike
ishte prezente sidomos në letërsi, por edhe në art. Si figurë, treni gjithmonë
ka krijuar emocione të veçanta si tek artistët, por edhe tek ata/ato që e
kanë pranuar a refuzuar një vepër/krijim. Treni na fikson për ecjen drejt të
panjohurës dhe për ta njohur atë. Sëkëndejmi, treni nga agnosis shndërrohet në gnosis.
Treni është edhe kujtesë dhe identitet. Duke udhëtuar ne mallëngjehemi për të
kaluarën që po e lëmë pas, për një kohë apo përjetësisht (atdheun, imazhet e
vendit ku kemi jetuar e luajtur) dhe frikën nga ndryshimet që na presin në
vendjetesën e re. Në tren fillojnë të ngjizen një sërë reflektimesh mbi mënyrat
e ruajtjes sonë identitare në vendin e destinuar, kalkulimet se çfarë
duhet ruajtur e çfarë duhet ndryshuar; cilat do të jenë sfidat e
pranimit të së resë dhe adaptimit, por edhe malli për të vjetrën e ngulitur aq
fortë në kokat tona. Në ciklin “Treni” të piktorit Kushtrim Sylejmanit,
recipienti udhëton në pikturat e tij, por edhe gjen rrugëtimin drejt njohjes së
vetes dhe të komunikimit me tjetrin. Me tjetrin si të panjohur, si të njohur
dhe gjysmë të njohur. Me tjetrin si të paragjykuar. Me tjetrin si të urrejtur.
Me tjetrin si mik/armik. Me tjetrin si indiferent. Me tjetrin si gjuhë,
mendësi, sjellje dhe kulturë tjetërfare kundrejt nesh. Është interesante se nga
leximet e bëra të përgjigjeve që kanë dhënë shumë artistë kudo në botë,
frymëzimet e tyre zakonisht kanë ardhur pas udhëtimeve, bie fjala, udhëtimit me
tren në rrugë të largëta, por çasti inspirues i piktorit Kushtrimi kishte
prodhuar idenë e trenit kohë më parë para se të udhëtonte me të. Me një dëshirë
dhe vizion për të dalur nga një atdhe që po kalonte (dhe po kalon) me shumë
probleme politike, sociale, ekonomike, kulturore dhe etnopsikologjike, për të
jetuar në shtetin federal të Zvicrës, Kushtrimi kishte filluar të parafytyrojë
momentin final të udhëtimit me tren, jo vetëm për ta menduar fiksimin e tij me
një mjet ekzotik të udhëtimit në distanca të mëdha, por edhe si përthyerje
medituese për kohën, hapësirën, lëvizjen, ndryshimin, identitetin, kujtesën,
gjuhën, përkatësinë… Pra, ky nuk inspirohet pas udhëtimit me tren, por para
nisjes me të. Ideja lind si parafytyrim mbi objektin (lexo: trenin si figurë,
si simbol) dhe jo objekti i përcaktuar ta krijojë idenë/figurën e pikturave të
tij. Dhe pas udhëtimit me tren, pra emigrimit, edhe format e trenit në piktura
të pëlhurës së Kushtrimit ndryshojnë, marrin trajtë tjetër; paraqiten në formë
më të dendësuar; shpërfaqen me ngjyra të tjera, respektivisht ngjyra bardhë e
zi (akromatike, jo laramane, zakonisht më pesimiste). “Treni artistik” i
Kushtrimit përfaqëson edhe veprimtarinë e tij, të përshkruar me ‘plot vagona’
si cv - por edhe se si artisti duhet të jetë si treni, të transportojë artin e
tij në sa më shumë vende/kultura; të udhëtojë dhe të nxis vrojtuesin në
udhëtim; gjatë udhëtimit jo vetëm ndërron/lëviz artin/stilin e tij, por edhe
ndërron vetveten. Pa dyshim, piktori Kushtrimi na thotë se ky ndryshim nuk mund
të jetë radikal nëse jeni kalitur me një frymë të getoizmit të gjatë
artistiko-kulturor. Pra, kur artisti udhëton, ai bart më vete edhe një gjendje
kulturore në të cilën është rritur dhe zhvilluar. Kjo vërehet në ciklin
“Treni”, që thyen kultin e dhunës, agresivitetit, rebelimit (sikurse ishte
zhvilluar futurizmi italian si reaksion ndaj trashëgimisë kulturore italiane,
traditës, artit konvencional, etj.), por na shpall një kult tjetër të artit
modern: kultin e lirisë artistike (sovraniteti i plotë i imagjinatës së
artistit) dhe lirisë së vrojtuesit për të gjetur në pikturë atë që e dëshiron
në vetëdije apo ndërdije (sovraniteti i recipientit). Pra, kultin e lirisë
sovrane të të gjithëve, gjegjësisht të krijuesit dhe vrojtuesit.
Parimi i
lëvizshmërisë në pikturat e Kushtrimit
Të gjithë trenat dhe figurat
e tjera shumë pak të pranishme, janë kudo në lëvizje; të stepin në çastin e
parë të vrojtimit dhe pastaj nga akomodimi me to, të nxisin në meditim, në
vetvëzhgim, në qetësi si prehje shpirtërore por në lëvizje për ide e mendime…
Ciklit i duhet durimi, koncentrimi i artistit, puna sistematike, përpunimi i
detajeve, evoluimi në kohë. Ky cikël “Treni”, i cili është bërë me vite, që nuk
ka ndërruar në asnjë moment trenin si bloger të mesazhit, tregon për
qëndrueshmërinë, stabilitetin (vetëm në figurë, por jo stabilitet edhe në
teknikën dhe lojën e ngjyrave), energjinë, dashurinë dhe përkushtrimin kontinuel
të piktorit Kushtrimi. Arti bashkëkohor kërkon që artisti të konkurrojë me dy
forca, dy botëra mjaft të fuqishme: natyrën dhe teknologjinë. Këtë konkurrencë
piktori Kushtrimi e kalon qetë e qetë, për ta kënaqur recipientin me pikturat e
tij, apo më mirë për ta thënë, për ta dërguar recipientin në udhëtim drejt
mikrokozmosit dhe makrokozmosit, për ta gjetur pafundësinë dhe pamundësinë…
Përceptimi i kohës dhe lëvizjes janë databaza e motivacionit
artistiko-filozofik të Kushtrimit. Këtë e vëren çdo vrojtues sepse edhe nëse
nuk do ta dëshironte një udhëtim të tillë, pikturat e tij të imponojnë të
paktën një udhëtim të shumësisë së ideve në kokë; një udhëtim për ta parë
veten, jetën dhe botën në retrospektivë, në kohën e tashme bashkëkohore dhe
perspektivën e së ardhmes. Sikurse dihet parimi i artit modern dhe postmodern
nuk e duron pedagogjizmin e recipientit, as dhënien e përshtypjeve të caktuara
për një detyrim të përçimit të mesazhit, as nxitjen vetëm të
emocioneve, as piktura që të shkaktojnë dhembje, por gjithnjë art që lë
hapësirë që secili ta projekton vetveten ashtu siç është
ndërtuar në ambientin e tij kulturor (dhe gjendjes së caktuar psikike) dhe që
përcillet më shumë me mendim/meditim/reflektim sesa emocione apo stërngarkim
sentimentesh.
Përmbyllje
Kushtrimi më shumë
eksperimenton në këtë zhanër artistik, për ta dhënë energjinë maksimale në të
dhe për të. Shumicën e pikturave i ka punuar me teknikë të kombinuar në pëlhurë
(vaj, akrilik, etj.), e pakëz në letër. Po që se analizojmë dhe krahasojmë pikturat
e bëra para se të shkonte për në “atdheun e dytë të mirëqenies”, atëherë shohim
se pikturat në vendin e tij janë me ngjyra më të ngrohta, më të qarta, të
vendosura në hapësira më të gjera në prapavijë, ndërrojnë figurat në plan të
parë e të dytë, ndërsa trenat e paraqitur në pikturat e të njëjtit cikël janë
më të ngjeshur/koklavitur, më të gravituar në një pikë, për arsye edhe të
ndikimit nga ritmi më kompleks i jetës në shoqërinë e zhvilluar perëndimore;
për reprezentim të një tempo jete stresuese për integrim dhe akomodim kulturor;
ngjyrat më pikëlluese, vijat e theksuara nga një gjendje ambivalente të një
sapoardhuri, difuzioni i figurave në nivel krejtësisht tjetër… Megjithatë,
pikturat e tij janë lindur në vendlindje, janë ndryshuar në vendin mikpritës,
por thelbi ka mbetur i njëjtë: treni si diagonale dhe duplifikim i kohës,
kthimit në kohë, lëvizjes në kohë, kohës së humbur, kohës së gjetur e të
rigjetur...Cikli “Treni” është tërësisht një set pikturash të artit modern dhe
tendenca minimaliste bashkëkohore, ku përthyhet thjeshtësia, e cila thjeshtësi
bartë më vete një gamë ndërlikimesh dhe veprimesh precize/të matura. Nga vijat
e tij në pikturë, kombinimi i ngjyrave (harmonia, kontrasti dhe lloji i
ngjyrave), renditja e figurave (trenave) tregon se është piktor që nuk rrin me
një vend: pra ‘udhëton’ dhe eksploron në mënyrën se si luan me ngjyrat, si
shprehet, çfarë ngjyrash janë dominante, si e ndërron gjendjen emotive gjatë
pikturimit. Për disa artistë, por edhe kritikë, epiteti “piktor stabil” gabimisht
ka korresponduar me ndonjë cilësor të pëlqyeshëm. Të jesh piktor stabil apo
jostabil nuk presupozon për ndonjë superioritet krijimtarie, por për tipe
temperamentësh të artistit. Stabiliteti apo jostabiliteti nuk është apriori
tipar që duhet ta shquajë domosdoshmërisht një artist, sepse tek e fundit
temperamenti është çështje tjetër e personalitetit të piktorit, por
mënyra se si shpërthen botën tënde subjektive dhe si e luan lojën me ngjyra në
letër, dru, pëlhurë, apo kudo tjetër. Nëse poezia është lojë e gjuhës dhe
figurave; nëse kënga është lojë tingujsh dhe instrumentesh, atëherë piktura
është lojë ngjyrash. Dhe këtë lojë Kushtrimi duket se e ka bërë me ngadalësi,
por herë-herë me gjaknxehtësi. Loja në vendlindje është me tone ngjyrash shumë
më të ngrohta, ndërsa pikturat në diasporë, përkatësisht në vitet e para të
adaptimit me kulturën dhe sistemin e vlerave të reja, janë tregues të
vështirësive të zakonshme emocionale të secilit njeri që është larg vendlindjes
dhe këto padyshim janë bartur edhe në gjendjet shpirtërore të piktorit gjatë
pikturimit. Sidoqoftë, ajo lojë është luajtur mirë ngase dëshmia shihet në
gjithë ciklin “Treni” dhe recipientët nuk i lë si spektatorë, por i bën pjesë
të lojës. E kam fjalën, pjesë të udhëtimit. Me tren. Pikturat e Kushtrimit në
gjithë ciklin e prezantuar na përthekojnë lëvizshmërinë, kohën, të pakufishmen
dhe teorinë e transformimit mbi origjinën. Kështu mund të lexohet nga këndi
socio-psikologjik, por krijimtaria e tij fatmirësisht përjashton egocentrizmin
vrojtues dhe pranon shumë ‘udhëtarë’. Për vete, mund të them se u ndjeva
këndshëm në këtë udhëtim të abstraksionit të lehtë të Kushtrimit. Udhëtim të
këndshëm të gjithë udhëtarëve të tjerë (vrojtuesve dhe kritikëve)!
Avni Rudaku - Sociopsikolog


